Policia aksion me radarët 'TruCam' në të gjithë vendin, pezullohen 176 patenta për shpejtësi

2020-01-06 0

Në vetëm 24 orë monitorimi në të gjithë vendin tonë janë pezulluar pezulluar 176 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara, nga këto: 51 në Tiranë, 47 në Durrës, 49 në Lushnjë-Fier nga njësia Operacionale e Policisë Rrugore, 15 në Lezhë dhe 14 në Elbasan.

Njëkohësisht, në të gjithë vendin janë vendosur 235 masa administrative për mosrregullim shpejtësie, veçanerisht në qendrat e banuara dhe shpejtësi jo më shumë se 20 km/h mbi normat e lejuara.

Si rezultat i kontrolleve me aparatin alkooltestues drager, në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 13 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 9 prej të cilëve në Tiranë, si dhe janë pezulluar 41 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Po gjatë kontrolleve janë verifikuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 20 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi, nga të cilët 16 në Tiranë.

Po ashtu policia njofton se janë evidentuar parakalime dhe manovra të rrezikshme në rrugë e në afërsi të kalimit të këmbësorëve, në segmente me fushëpamje të kufizuar etj, si dhe janë ndëshkuar për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në të gjithë vendin, 234 drejtues mjetesh, nga të cilët 165 në Tiranë. Janë evidentuar dhe ndëshkuar 456 drejtues mjetesh, të cilët janë konstatuar duke drejtuar mjetin pa vendosur rripin e sigurimit.