SHBA: Sulmi i ambasades malazeze ne Serbi, i papranueshem

2020-01-06 0

Sulmi ndaj ambasadës së Malit të Zi në Beograd ka sjellë reagimin e Ambasadores Amerikane në Podgoricë, Judy Rising Reinke( Xhudi rajsing ranke). Diplomatja amerikane përmes një postimi në rrjetet sociale e ka dënuar atë duke apeluar për dialog mes palëve.
?Jam e tronditur nga pamjet e përdhosjes së flamurit të Malit të Zi në ambasadën e saj në Beograd. Sulmi ndaj misionit diplomatik është absolutisht i papranueshëm. Dallimet e mendimeve duhet të adresohen përmes dialogut, jo dhunës dhe vandalizmit?.
Ndërkohë dhjetëra zyrtarë dhe ish-zyrtarë, akademikë dhe figura të kulturës në Ballkan i janë bashkuar një peticioni online ku sipas tyre Beogradi po kthehet në një kërcënim për paqen në rajonin e Ballkanit.
Në mesin e 120 nënshkruesve janë ish-presidentë të Kroacisë dhe Sllovenisë, ish-liderë jugosllavë, tre ligjvënës serbë dhe dhjetra gazetarë.
Kryeministri malazez, Dushko Markoviç u shpreh i befasuar për qëndrimin e autoriteteve serbe ndaj aktit të djegies e flamurit kombëtar të Malit të Zi.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u shpreh se nuk ndihej aspak krenar me djegien e flamurit malazez por shtoi se në asnjë moment Ambasada nuk u kërcënua dhe se askush nuk u përpoq të hynte në të.
Përshkallëzimi i situatës mes dy vendeve erdhi pas miratimit nga parlamenti malazez i ligjit për komunitetet fetare. Serbet në Mal të Zi dhe në Beograd pretendojnë se përmes kësaj nisme ligjore, Podgorica synon të përvetësojë pronat e Kishës Ortodokse.