Report TV -Rishikohet buxheti 2020/ Ulen fondet për 11 institucione...

2020-01-06 0

TIRANË- Buxheti i këtij viti pas tërmetit ka pësuar një ndryshim total në rishpërndarjen e fondeve. Ndryshe nga sa është deklaruar më parë buxheti i 2020 nuk do të jetë 502 miliardë lekë por 509 miliardë lekë. Ligji i buxhetit publikuar në fletoren zyrtare ka të reflektuara edhe të gjitha ndryshimet e bëra në të, ku në mënyrë të papritur janë ndryshuara të gjitha zërat e buxhetit, ku shumë institucione të deklaruara si prioritete të qeverisë janë penalizuar nga rishikimi. Konkretisht fondi prej 7 miliardë lekësh që i është shtuar buxhetit pritet të sigurohet nga të ardhurat nga grantet ose ndihmat. Pikërisht ky është edhe zëri që ka pësuar ndryshime në buxhet, pasi ndryshe nga sa ishte në buxhetin fillestar, zëri i granteve është rritur nga 16 miliardë në 23 miliardë lekë.

Kjo vlerë e shtuar është parashikuar të shkojë për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa vlera tjetër prej 13 miliardë lekësh do të jepet nga shpenzimet e buxhetit të shtetit. Përveç këtij ndryshimi ka pasur edhe një rishpërndarje të fondeve për ministritë dhe institucionet e drejtësisë. Janë 11 institucione të cilat kanë reduktim të buxhetit më masën e 2.7 miliardë lekëve.