I bie presa e betonieres, vdes punëtori në Korçë, momenti kur nxirret trupi, shokët në lot

2020-01-06 1

KORCË- Këputja e presës së betonieres i ka marrë jetën një të riu 35-vjeç që ishte duke punuar në një objekt 4-katësh në lagjen e Pazarit. Viktima është Elvis Josifi, ndërsa ngjarja ndodhi rreth orës 12:15 të ditës së sotme. Në momentin që punëtorët po hidhnin betonin për ndërtimin e godinës, presa e betonieres u këput duke i rënë.

Pavarësisht ndërhyrjes me shpejtësi të punëtorëve të tjerë, por edhe babait dhe vëllait të tij me të cilët punonte në kantierin e firmës "Konstruksion 93", Elvis Josifi nuk mundi që të mbijetonte pasi goditja ishte fatale duke i marrë jetën në vend. Nga ngjarja mbeti i plagosur edhe një tjetër punëtor, që u dërgua në spital për ndihmë, jashtë rrezikut për jetën.Report Tv solli pamjet ekskluzive nga Korça, nga kantieri ku ndërroi jetë i riu. Në vendin e ngjarjes mbërritën me shpejtësi edhe familjarët e tjerë të 35-vjeçarit në gjendje të rënduar psikologjike, ashtu sikur shokët e tij që nuk i mbajtën lot për humbjen e të riut. Në një moment disa prej punëtorëve të firmës nuk lejuan gazetaren e Report Tv, Gladiola Hoxha që të filmonte. Pas ngjarjes së rëndë vinçieri së bashku me punëtorët dhe pjesën tjetër të stafit janë shoqëruar në komisariat për të marrë dëshmitë e tyre ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve te aksidentit tragjik.

Free Traffic Exchange