Grevat ne France thyejne rekordin

2020-01-06 0

Grevat që kanë mbërthyer mbarë Francën kanë hyrë në ditën e 29, duke thyer një rekord. Ato janë më të gjatat që prej trazirave civile të vitit 1968.
Protestat kundër reformës së pensioneve të propozuara nga qeveria filluan më 5 dhjetor, duke sjellë mungesa të karburantit, ndërprerje të energjisë, ndërprerje masive të transportit dhe mbylljen e shkollave.
Në Paris të enjten, policia përdori gaz lotsjellës për të hequr bllokadën e një depoje të autobusëve urbane në qytet, duke shënuar konfrontimin e fundit midis autoriteteve dhe sindikatave.
Presidenti Emanuel Makron nuk i ka pranuar kërkesat e protestuesve dhe ka këmbëngulur se plani për të futur 42 skemat e pensionit që ekzistojnë në Francë, në një sistem të vetëm universal, është i domosdoshëm për të parandaluar kolapsin e ekonomisë.
Në fjalimin e fundvitit, të martën, ai bëri thirrje për një "kompromis të shpejtë".
"Jam i vetëdijshëm se ndryshimet shpesh mund të jenë shqetësuese. Por shqetësimet nuk mund të çojnë në mosveprim, sepse ka shumë për të bërë. Nuk do të tërhiqem nga pesimizmi apo paraliza?.
Lideri i së majtës, Zhan Lyk Melonsho, i kundërshtoi kërkesat e presidentit, duke i quajtur si një deklaratë lufte për miliona francezë që preken nga reformat e tij.
Kundër u deklarua dhe udhëheqësja e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen dhe drejtuesit e sindikatave, të cilët u kërkuan punëtorëve të hidhen në greva e demonstrata kudo.
Bisedimet midis sindikatave dhe qeverisë janë parashikuar të rinisin më 7 janar, ndërsa një protestë e madhe pritet më 9 janar.
Sondazhet tregojnë se mbështetja e publikut për grevat mbetet e fortë.

Free Traffic Exchange