FIER- Është shkrumbuar nga zjarri banesa e familjes së Martin Skëndaj, gardianit të burgut të Fierit, i cili më 19 dhjetor të vitit që lamë pas, qëlloi për vdekje mbi komshiun e tij, Manol Rrapaj dhe kushëririn e këtij të fundit Elis Kapaj. Report Tv sjell pamjet e zjarrit që përfshiu dhe dogji banesën. Ende nuk ka detaje për shkaqet e këtij zjarri por deri më tani dyshohet se ka qenë një zjarrvënie e qëllimshme, pasi në banesë nuk ka patur njerëz pasi familjarët janë larguar pas krimit të rëndë të ndodhur në dhjetor. Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie dhe zjarrfikësish.
?Shqiptarja.com? zbardhi të plotë dinamikën e këtij krimi të rëndë, dinamikë e cila është filmuar dhe dokumentuar plotësisht nga kamerat e sigurisë së poliklinikës së Patosit. Dy viktimat Manol Rrapaj dhe Elis Kapaj, fillimisht i kanë bërë pritë gardianit të burgut të Fierit, i cili sapo ka dalë nga poliklinika është përballur me goditjet me levë që i ka bërë Elis Kapaj dhe Manol Rrapaj. I ndodhur përballë këtij sulmi me sende të forta, gardiani ka nxjerrë armën e shërbimit dhe më pas ka filluar t'i qëllojë të dy agresorët. Të parin ka vrarë Elis Kapaj, të cilin pasi e ka rrëzuar e ka qëlluar më pas me një plumb në kokë, duke ja puthitur pistoletën. Më pas ka ndjekur dhe ka vrarë Manol Rrapaj i cili dyshohet se ka patur lidhje intime me tw motrën e Martin Skëndaj.