Autoritetet vendore dhe qendrore janë tërhequr nga vendimi për të larguar nga hotelet e Shëngjinit banoret e Thumanës, të cilët kanë ngelur të pastrehë pas tërmetit të 26 nëntorit. Afati për të qëndruar në hotele ishte deri në datë 3 janar, për të kaluar më pas në banesat me qira, që do të subvencionohen nga shteti.
Por duke qenë se jo të gjithë kanë gjetur banesat me qira, vendimi për qëndrimin e tyre në hotel është shtyrë. Nga një mijë banorë që ndodhen në hotele në Shëngjin, 120 prej tyre që kanë plotësuar procedurat u ishte kërkuar që nesër të dilnin, por ata kanë bërë rezistencë duke mos pranuar. Përballë kësaj situate, kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi, sipas banorëve ka qenë mbrëmë në hotel ku janë vendosur në Shëngjin duke u garantuar se do të vijojnë që të qëndrojnë deri kur të gjejnë shtëpitë me qira.