Përmirësohet gjendja e Erisa Qalliut sekretares se kryetarit të Bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe e plagosur nga shpërthimi granatës së dorës së hedhur në zyrën e tyre nga ish-shoferi personal i kryebashkiakut, Gëzim Saraçi.
30-vjeçarja është ende nën kujdesin e mjekeve të spitalit të Traumës në kryeqytet. Ajo ka marrë lëndime në fytyrë dhe krahë. Një ditë më parë la spitalin kryebashkiaku Tushe, i cili qëndroi aty vetëm pak orë.
Ai kishte marrë vetëm një plagë në gjoks ku ishte goditur nga një pjesë e granatës. Në terren vijon ende operacioni për kapjen e autorit të ngjarjes. Në kërkim të 50-vjeçarit janë vënë forcat RENEA, ato speciale dhe drejtoritë e policisë lokale.
Kërkimet janë përqendruar në qarkun e Beratit pasi dyshohet se aty Saraçi ka gjetur strehim. Me qëllim kapjen sa më shpejt të tij, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 1 milion lekë të reja për të gjithë ata që do të japin informacion të saktë që do çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit duke ruajtur anonimatin.
Grupi i hetuesve po përpiqet të zbardhë edhe motivet e ngjarjes. Pistat ku po hetohet janë ajo e pushimit nga puna 2 vite më parë ose një borxh mes tyre. Në pyetje janë marrë familjarë dhe punonjësit e bashkisë që ndodheshin në vendngjarje. Ekspertët kanë zbardhur edhe pamjet e kamerave të sigurisë ku duket se si duke dalë nga zyra e kryebashkiakut, Gëzim Saraçi ka hedhur granatën dhe është larguar me shpejtësi.
Tv Klan