Kryetari i bashkisë se Lushnje Fatos Tushe dhe sekretarja e tij Erisa Qalliu mbetën të plagosur nga një sulm me granatë. Tushe u sulmua në zyrën e tij rreth orës 8 të mëngjesit. Autor është ish -shoferi personal i kryebashkiakut, 50-vjeçari Gëzim Saraçi.
Punonjësit e bashkisë kanë treguar se midis Tushes dhe Saraçit ka nisur një debat verbal. Sekretarja që ndodhej në paradhomë është futur në zyrë për t?i ndarë dhe teksa Saraçi po largohej nga zyra që ndodhej në katin e dytë, ka hedhur një granatë në paradhome dhe ka ikur me shpejtësi.
Dy të plagosurit u dërguan fillimisht në spitalin e Lushnjes e më pas drejt Tiranës. Shenjat e gjakut të tyre u panë edhe në katin e parë të bashkisë.
Motivet e ngjarjes nuk janë ende të qarta. Tushe dhe Saraçi njiheshin prej kohësh. Në mandatin e parë dhe në gjysmën e mandatit të dytë Saraçi ka qenë shoferi personal i kryetarit të bashkisë.
Më pas ai është pushuar nga puna dhe kjo është një nga pistat që po heton policia. Burime konfidenciale flasin edhe për një borxh mes tyre. Policia ngriti postblloqe të shumta dhe ka angazhuar agjentë të Policisë Kriminale për kapjen e autorit.
Burime zyrtare të saj thonë se dyshohet se Saraçi është fshehur në territorin e qarkut Berat.
Me qëllim kapjen sa më shpejt të tij, Policia e Shtetit kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve duke vënë në dispozicion 1 milionë lekë të rinj për çdo informacion të saktë që do çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Policia thotë se garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm të strukturave të Policisë për të kapur dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorin e kësaj ngjarjeje.
Tv Klan