20 vjet ne azilin e pleqve, i moshuari: Erdha fshehurazi, me shume me merr malli…

2020-01-06 7

Ditën e fundit të vitit 2019 emisioni ?Historia Ime? në Tv Klan u zhvendos në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë. Janë 47 persona të moshës së tretë që po kalojnë ditët në atë shtëpi. Sëbashku me personelin dhe të moshuarit, ?Historia Ime? ndau disa momente të bukura.

Gazetarja Mirela Milori solli historitë e tyre në këto atmosferë festash. Ndër to edhe ajo e Riza Shashos, i cili ka 20 vjet që jeton në azil. Shasho tregoi që ndihet i kënaqur që jeton në shtëpinë e të moshuarve për shkak të punës së personelit. Ai deklaroi se i ka bërë fshehurazi dokumentet për të shkuar në azil, për të mos i rënë askujt në qafë.

Ai theksoi se ishte i detyruar të shkonte, për shkak se nëna e tij nuk mund të kujdesej më për atë, duke qenë se ai kishte nevojë pasi ishte i plagosur në ushtri.

Mirela Milori: Sa kohë ke këtu Riza?

Riza Shasho: 20 vjet.

Mirela Milori: Si është të jetosh kaq gjatë në një shtëpi të moshuarish?

Riza Shasho: Unë për veten time kam ndjerë kënaqësinë që po jetoj vetëm në saj të personelit. Personeli është i përsosur. Vetë i bie dhe firzamonikës.

Mirela Milori: 20 vjet, krijohen miqësi këtu brenda? Krijohet dot ajo atmosfera e familjes?

Riza Shasho: Po. Unë më tepër më merr malli kur largohem për personelin se sa për motrat dhe vëllezërit.

Mirela Milori: Kë ke të veçantë nga personeli?

Riza Shasho: Të gjitha.

Mirela Milori: Të gjithë po shkojmë drejt moshës suaj dhe e dimë që nuk është e lehtë që të kuptohesh se është një brez i ri? E ke hasur këto 20 vjet se ndoshta nuk të kanë kuptuar mirë, është një brez tjetër.

Riza Shasho: Unë nuk kam patur ndonjë vështirësi, kam kaluar shumë mirë dhe po kaloj shumë mirë.

Mirela Milori: Çfarë profesioni ke pasur.

Riza Shasho: Para se të ikja ushtar, se jam plagosur në ushtri, kam punuar në SMT.

Mirela Milori: Nga cili qytet?

Riza Shasho: Erseka. Pastaj shkova ushtar, u plagosa. Ndodhem në KEMP. Jetova gjithë ato vite në fshat në familje, pastaj i detyruar për këtu, për arsye se mamaja nuk më shërbente dot më. Unë plak, unë doja shërbim. Për të mos i rënë në qafë askujt, se kam dy vëllezër dhe 5 motra, i kam bërë dokumentet pa e marrë vesh njeri dhe erdha këtu në shtëpinë e të moshuarve.

Mirela Milori: Të është bërë si shtëpi?

Riza Shasho: Po.

Mirela Milori: Bëhet dot azili si shtëpi?

Riza Shasho: Bëhet dhe fundja unë e kam thënë këtë edhe me kohë që unë u plagosa në shtet dhe në duart e shtetit dua të jem derisa të vdes. /tvklan.al

Free Traffic Exchange