Report TV -Gati ligji i ri për Arbitrazhin, do të pengojë Becchettin? Zbardhet drafti

2020-01-06 0

Kompanitë tregtare që operojnë në Shqipëri, të huaja apo vendase, në rast të një konflikti mes tyre apo me shtetin në lidhje me të drejta kontraktuale, respektim kontratash apo detyrimesh do të mund t'i zgjidhin konfliktet e tyre jo vetëm nëpërmjet gjykatës tradicionale, por edhe nëpërmjet një arbitrazhi.

Qeveria ka përgatitur një projektligji që në muajt e parë të vitit 2020 do të kalojë për shqyrtim në Kuvend dhe që Report Tv e ka siguruar. Sipas projektligjit është planifikuar ngritja e gjykatës së Arbitrazhit e cila sipas relacionit do të ulë kostot e biznesit dhe rrisë besimin tek sistemi gjyqësor për shkak të mos ndikimit të palëve.Në rast se deri më tani këto ankime shqyrtoheshin nga dhoma civile Tiranë e cila funksionon me një gjyqtar apo me seksionin tregtar, në gjykatën e arbitrazhit do të jetë me tre arbitër. Dy prej arbitrave përcaktohen nga palët në konflikt dhe më pas këta dy arbitra zgjedhin dhe arbitrin e tretë.

Por në draft një pikë shumë e rëndësishme lidhet me njohjen e vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar. Ligji parashikon në nenin 52 që këto vendime që të marrin nivel ndërkombëtar për të zbatuar në Shqipëri duhet të njihen më parë nga gjykata e Apelit Tiranë. Në pikën 1 të këtij projektligji thuhet: ??Vendimi i arbitrazhit i dhënë nga një gjykatë arbitrazhi të një shteti të huaj ose nga një gjykatë e arbitrazhit ndërkombëtar me vendndodhje jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë vihet në ekzekutim në momentin kur njihet me vendim të Gjykatës së Apelit??.