Kanë përfunduar takimet konsultative të kreut të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski me liderin e BDI-së Ali Ahmetin dhe me Kryeministrin Zoran Zaev rreth përbërjes së qeverisë teknike. LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja nuk ranë dakord për ministrin teknik të Punëve të Brendshme. Kryeministri Zaev dyshon se propozimi i Mickoskit është antikushtetues.
Dragan Kovaçki është propozimi i opozitës për ministër teknik të Punëve të Brendshme. Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se problemi është se Kovaçki është person ushtarak, kurse sipas Kushtetutës dhe ligjeve, me qeverinë kalimtare duhet të udhëheqë person civil.
?Emrat tjerë, përveç emrit të kandidatit për ministër të Brendshëm, do të njoftohen të hënën në koordinim mes meje dhe z.Mickoski. Me siguri se atëherë do të dihen emrat. Mickoski nuk bëri publik emrin, unë vetëm mund të them se është propozuar një emër ushtarak?.
Lideri i VMRO-DPMNE-së pas takimit tha se propozimi i tyre për njeriun e parë në MPB është një emër i ri në politikë. Ai tha se ditët në vijim do të bisedojë edhe me opozitën shqiptare që të jenë pjesë të zgjidhjeve në qeverinë kalimtare.
?Ditët në vijim, është mirë të bisedojmë edhe me opozitën shqiptare, që të mund të bisedojmë në pjesën e zgjidhjeve që do të jenë pjesë e MPB-së dhe strukturave që do t`i udhëheqë ministri i ri teknik, të shohim se çfarë propozimi kanë ata?.
Kreu i integristëve Ali Ahmeti tha se kandidati i propozuar nga opozita është i pranueshëm për partinë e tij. Ndërkaq, duke u prononcuar rreth Kodit Zgjedhor u shpreh se nuk është koha për ndryshime të modelit zgjedhor.
Pas informacioneve se Mickoski ka propozuar Kolonelin Kovaçki për ministër teknik të Punëve të Brendshme ka reaguar përmes Facebookut ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska duke cituar Nenin 97 të Kushtetutës.
?Me organet e administratës shtetërore në fushën e mbrojtjes dhe policisë udhëheqin persona civil që para se të zgjidhen në këtë funksion, të kenë qenë civilë, së paku tri vjet. Krahas gjithë këshilltarëve të bësh një propozim jashtëkushtetues?, ka shkruar ministrja e Drejtësisë në rrjetet sociale.
Në takimin e liderëve është diskutuar edhe për ndryshimin e modelit zgjedhor para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, për çka nuk është arritur marrëveshje, për shkak se BDI dhe VMRO-DPMNE mbeten në qëndrimin se një njësi zgjedhor nuk mund të ketë në zgjedhjet e 12 Prillit të vitit të ardhshëm.