Të paktën 73 persona kanë mbetur të vrarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën si pasojë e shpërthimit të një makine bombë në kryeqytetin e Somalisë. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në një kryqëzim mjaft të populluar në Mogadishu.
Shifrat jo zyrtare flasin për më shumë viktima, teksa autoritet i druhen rritjes së numrit pasi shumë prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike ne spitale. Sipas informacioneve nga mediat lokale, shumë prej të vdekurve janë studentë.
Autoritetet zyrtare e konsideruan sulmin barbar teksa ngushëlluan familjarët e viktimave. Asnjë grup deri tani nuk ka marrë përgjegjësi ngjarjen, por dyshimet janë për grupin Al-Shabab i cili ka kryer një sërë sulmesh në Somali.
Grupi i militantëve islamikë, aleatë me Al-Kaedën ka zhvilluar një kryengritje për më shumë se 10 vjet. Në 2011 u dëbua nga kryeqyteti , por ka nën kontroll disa zona në vend. Pesë persona humbën jetën në fillim të këtij muaji kur Al-Shabab sulmoi një hotel në Mogadishu, mjaft i frekuentuar nga politikanë, diplomatë dhe oficerë ushtarakë.