Dy kosovaret e larguara nga kampi Olimpia - (16 Mars 2000)

2020-01-06 0

Arkiva Lajme - Tv Klan 2000

Është ky kampi i pishinave i quajtur Olimpia ku ende ka 61 kosovarë. Të mbetur që nga koha e ardhjes së refugjatëve në Kosovë, ata vazhdojnë të jetojnë këtu pa e ditur se deri kur. UNHCR-ja dhe ACT-ja, janë dy organizatat që meren vetëm me ushqimin e 61 kosovarëve të mbetur këtu.

Para disa ditësh në një të përditshme shqiptare u publikua rrëmbimi i dy vajzave kosovare me qëllime prostitucioni. Por duket se nuk kanë qenë qëllimet e trafikut por thjesht dashuria ose nevoja për të ikur nga kampi ajo që ka larguar Mërgimen 20 vjeç ish-studente e juridikut në Kosovë dhe Shaken 16 vjeçe nga kampi.

Mërgimja nga Gjakova tregon për Tv Klan se ajo dhe Shakja ishin larguar me të dashurit e tyre. Ndërsa Shakja nga Mitrovica tregon se problemet e thella sociale në shtëpinë e saj e kanë detyruar të iki nga kampi. Nëna e Shakes e cila pret jashtë rajonit, thotë se nuk kthehen dotë në Mitrovicë, pasi shtëpia ju është djegur dhe trualli është në Mitrovicën e veriut me shumicë serbe.

Ndërkohë në këtë kamp me 61 kosovarë ditët ecin njësoj, pavarësisht nga historia e dy vajzave që u rrëmbyen për dashurinë, pavarësisht se veç ushqimit nuk kanë asnjë mundësi tjetër këtu dhe pavarësisht se nuk e dinë se kur do të kthehen në Kosovë./tvklan.al

Gazetare ? Mirela Milori