Thaçi fton Kurtin dy here brenda dites

2020-01-06 0

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka ftuar për herë të dytë brenda ditës në takim kreun e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin. Ftesa e dytë i është bërë Kurtit për orën 20.00. Kjo pasi Kurti refuzoi të takohet me Presidentin Hashim Thaçi në ftesën e parë që i bëri për konsultim për t?ia propozuar atij emrin e kandidatit të ri për Kryeministër. Sipas zëdhënësit të kësaj partie, Arlind Manxhuka, ftesa nga Presidenca në LVV ka ardhur pas orës 11:00 ndërsa takimi ishte parashikuar të mbahej në orën 13:30.
?Në këtë afat të shkurtër kohor Kurti e ka pasur të pamundur që të takohet me Presidentin pasi ndodhej jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit?, ka thënë Manxhuka.
Në bazë të nenit 95 pika 1 për zgjedhjen e qeverisë, Presidenti i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. Prej kohës kur emri i propozohet Kuvendit, kandidati për Kryeministër ka afat 15 ditë të paraqesë përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti brenda 10 ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës shpall zgjedhjet e reja. Derisa zyra e BE-së në Kosovë nëpërmjet një njoftimi kanë uruar zgjedhjen e Glauk Konjufcës, në postin e kryetarit të Kuvendit. Në njoftimin e Zyrës së BE-së thuhet se Kosova duhet të formojë sa më shpejtë qeverinë e re në mënyrë që të ecë përpara në zhvillimin e saj ekonomik dhe shoqëror, mbi sundimin e ligjit dhe në agjendën e saj evropiane.