Prej një muaji jeton në çadër. Sot, ajo i është drejtuar qendrës shëndetësore pasi dy nga fëmijët e saj kanë shfaqur probleme shëndetësore. Ndihet e zhgënjyer nga shteti, dhe thotë se askush ndër vite nuk i ka kthyer sytë nga ta. Është historia e një banoreje në zonën e Thumanës, e cila solli rrëfimin e saj përballë gazetares Klesiana Omeri.
"Kam ardhur për ilaçet e kalamajve. Janë në serum të dy, deri dje s'kam pasur probleme. Në çadër kam 1 me 4 fëmijë. kryebashkiaku dha urdhër vetëm për një grua shtatzënë të çonte në Shëngjin. Furgoni me ushqime nuk solli gjë për krishtlindje. vetëm isha ungjillore në Thumanë ka sjellë ushqime. Asgjë nuk kam qenë në komunë asgjë, çfarë kam punuar vet me barishte e nëpër dynja. Komuna jonë nuk ka pyetur ndonjëherë, asnjë lloj qeverie, pse me e lavdëru një, asnjë. 6 kalamaj i kam pa punë. Gocën e kam në azil kam dy jetim që ja mbaj unë", tregon banorja.
Ajo thotë se shtëpia e saj është shpallur e pabanueshme dhe ka frikë të futet brenda prej fëmijëve. Ndërkohë kujton edhe tërmetin e shtatorit, ku edhe pse i shpallën me probleme, disa shoqe të saj u futën në banesa pasi nuk mundën të qëndronin në çadra, dhe sot ato janë të vdekura si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit!
"Shtëpia ka marrë plasaritje, se ka lëvizur themeli, unë nuk mund t'i fus kalamajt atje. Edhe më parë, ndenjën një javë në çadër e nuk i erdhi njeri, e u kthyen në shtëpi, por shoqet tona janë në tokë tani", shprehet banorja.