Basha viziton familjet e prekura nga tërmeti në Thumanë! Po përballemi me një krizë humanitare

2019-12-24 0

TIRANE- Kryedemokrati Lulzim Basha ka njoftuar përmes një videomesazhi se ka vizituar ditën e some banorët e prekur nga tërmeti në Thumanë. Basha thotë se ata janë lënë të braktisur në disa çadra prej plastmasi të cilat tashmë kanë dalë jashtë përdorimi.

Kreydemokrati shprehet se pas tërmetit ka nisur një pasojë tjetër e tmerrshme e kësaj krize humanitare, ku shumë fëmijë janë të sëmurë  dhe shumë të moshuar kanë nevojë për kujdes mjekësor.

"Të dashur miq, jam rrugës për kthim në Tiranë nga Thumana, ku për dy orë vizitova shumë familje të cilat janë në gjendje të mjerueshme. Pas një zallamahie propagande ata janë krejtësisht të harruar, të braktisur.

Ndërkohë që ftohja e motit dhe shirat i kanë nxjerrë jashtë përdorimit çadrat prej plastmasi apo çadrat verore me të cilat janë pajisur një pjesë prej tyre.

Dëshpërimi mbretëron kudo, varfëria është thelluar dhe tashmë ka nisur një pasojë tjetër e tmerrshme e kësaj krize humanitare. Ka shumë fëmijë të sëmurë, ka shumë të moshuar në nevojë për kujdes mjekësor për të cilët kanë nevojë por të cilët e kanë plotësisht të pamundur të marrin çdo shërbim aty ku janë apo të zhvendosen drejt spitaleve të Krujës, Tiranës apo të Laçit.

Kjo është gjendja e harresës totale, e braktisjes totale të shtetit prej kartoni, e shtetit të babëzisë dhe korrupsionit që është rrëzuar kohë para se tërmeti të rrëzonte shtëpitë e banorëve të Thumanës, Durrësit, Kurbinit dhe zonave të tjera të goditura rëndë.