TIRANE- Samiti i tretë i Shengenit Ballkanik ishte parashikuar të mbahej në Durrës, por për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit ajo është zhvendosur në Tiranë. Liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor do të vizitojnë ditën e nesërme zonat e prekura nga tërmeti në Durrës, ndërsa më pas do të mbajnë në Tiranë konferencën e përbashkët.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev janë pritur nga kryeministri Edi Rama në takimin e parë informal, ndërkohë që në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit', aktivistë të Vetëvendosjes zhvilluan një protestë kundër vizitës së presidentit serb. Ata u shtynë me policinë duke tentuar të çanin kordonin e sigurisë ndërkohë që thërrisnin fraza nacionaliste dhe mbanin në duar pankarta dhe fotot e viktimave të masakrës së Reçakut, e cilësuar nga Vuçiç si një krim i fabrikuar.