Arkiva Lajme - Tv Klan 2000
Më se 25 mijë shqiptarë të Kosovës kanë marshuar sot drejt Mitrovicës. Në orën 7 të mëngjesit ata kanë qënë 10 mijë manifestues të mbledhur në Prishtinë. Në rrugën drejt Mitrovicës me ta janë bashkuar edhe shumë qytetarë të tjerë të fshatrave përreth duke u bërë 25 mijë manifestues. Turma e shqiptarëve ka përshkruar 40km rrugë nga Prishtina në Mitrovicë.
Shqiptarët kanë nisur kështu një nga protestimet e tyre për të mos lejuar ndarjen e Mitrovicës. Turma është paraprirë nga makinat e shumta të forcave të KFOR-it dhe policisë së OKB-së. Shqiptarët protestojnë kundër dhunës etnike në Mitrovicë që vazhdon që nga fillimi i Shkurtit.
Protestuesit kanë mbajtur sot pankarta të ndryshme, si Mitrovica është Kosovë, por janë dalluar gjithashtu dhe flamujt e NATO-s të SHBA-së, Britanisë dhe Shqipërisë. Ndërkohë sot Mitrovica Veriore është përballur me një konfrontim të ri. Trupat amerikane janë kthyer sot në Veri të Mitrovicës ku jetojnë serbët.
Sipas burimeve të KFOR-it keto forca janë kthyer në veri për të bërë çarmatimin e serbëve. Futja ka ngjallur reagim aq sa qytetarët serb kanë goditur mbi mjetet dhe ushtarët amerikanë. Që nga përfundimi i luftës ky është edhe manifestimi më i madh i shqiptarëve në luftën kundër kantonizimit të Kosovës./tvklan.al