TIRANE- Ish-deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi shpallen fajtorë nën akuzën e 'kallëzimit të rremë' lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës. Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim, por ai nuk do të arrestohet për të bërë burg, pasi është hetuar në gjendje të lirë dhe pas ankimimit që Salianji paralajmëroi ndaj vendimit, do të pritet shihet cfarë do të vendosë Gjykata e Apelit, për të marrë formë të prerë. Ndërkohë, Albert Veliu njohur si Babalja u dënua me 3 vite e 8 muaj burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj burg, dënim i cili do të zëvendësohet me 100 orë pune.