Brenda muajit Janar, qeveria pritet të ketë një faturë paraprake të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti tragjik i 26 Nëntorit. Nga Këshilli Koordinues i Diasporës, Kryeministri Edi Rama tha se vijon puna në terren e ekipeve të inxhinierëve vendas e të huaj për verifikimin e të gjitha dëmeve.
?Ne urojmë që brenda Janarit të kemi një faturë paraprake financiare të dëmeve të tërmetit, faturimi është një procesi që vazhdon. Pas kësaj do të fillojë edhe pjesë e vështirë e rindërtimit. Ne duam që të dalim më të fortë nga kjo situatë dhe falë procesit të rindërtimit të krijojmë një cilësi të re në marrëdhëniet me njerëzit, por edhe në marrëdhënie të njerëzve me vendin.?
Teksa vlerësoi gadishmërinë dhe kontributin financiar të diasporës pas tërmetit, Kryeministri i garantoi se do të ketë transparencë për çdo qindarkë të vënë në dispozicion për të prekurit nga tërmeti.
?Askush nuk ka investuar më shumë se diaspora shqiptare. Ne jemi besimplotë që fondet, përtej vlerës së tyre të konsiderueshme financiare, kanë një vlerë të konsiderueshme morale dhe sociale, do të shkojnë aty ku janë destinuar sipas një transparence të plotë. Mekanizmi i transparencës do të jetë i besueshëm dhe i aksesueshëm nga të gjithë.?
Presidenti Ilir Meta, i cili merrte pjesë në mbledhjen e Këshillit Koordinues të Diasporës, teksa kërkoi më shumë bashkëpunim për diasporën vlerësoi maksimalisht rolin që ajo ka luajtur përmes kontributit të dhënë për të lënduarit nga tërmeti.
?Shfrytëzoj këtë rast të falënderoj të gjitha komunitetet e diasporës në mbarë botën për ndihmën dhe për mesazhet e solidaritetit për fatkeqësinë natyrore që goditi vendin tonë më 26 Nëntor. Unë besoj se ky solidaritet do të vazhdojë deri në shërimin e plotë të pasojave të kësaj fatkeqësie. Kjo fatkeqësi le të shërbejë edhe si moment reflektimi, rindërtimi, rimëkëmbjeje dhe pajtimi për të forcuar bashkëpunimin në interes të qytetarëve tanë, të vendit tonë, por edhe të kohezionit tonë kombëtar.?
Kreu i shtetit apeloi për t?i qëndruar më pranë diasporës duke ndërtuar një strategji për t?i dhënë zgjidhje të gjitha problematikave që ajo has.
Tv Klan