TIRANE-Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit konfirmoi në detyrë Tonin Vocaj, drejtor i Policisë Kriminale. Në seancën dëgjimore në datë 11 dhjetor, Vocaj u përballë me gjetjet e komisionit, lidhur me një sipërfaqe toke në Lezhë, një foto e bërë publike në media ku shfaqej nën shoqërinë e Arben Frrokut, ky i fundit i dënuar përjetë për vrasjen e ish komisar Dritan Lamajt, si dhe me dy kallëzime penale kur ai ishte në krye të policisë në Tiranë e Durrës.
Vocaj shpjegoi se nuk ka pasur dijeni se mes Frrokut dhe Lamajt ka pasur ndonjë konflikt, e se për vrasjen e ish komisarit, vetë Vocaj është marrë personalisht me dokumentimin dhe arrestimin e autorit të vrasjes. Por pas dëgjimit në seancën e parë dhe gjetjeve që ka bërë, trupa ka vendosur konfirmimin e tij në detyrë. Prej gati një viti, Vocaj mban detyrën e drejtorit tek Policia Kriminale.