Arben Malaj e konsideroi të paligjshme nismën e Këshillit të Ministrave dhe 28 deputetëve socialistë për shkarkimin e tij nga posti i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Qendrore.
Prania përpara ish-kolegëve të tij e bëri emotiv, por të vendosur siç tha ai, për t?i shkuar deri në fund çështjes e për ta çuar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Për të shkarkimi po bëhet pa respektuar procedurën e rregullt, pa patur bazë ligjore, por si një gjyq pa prova.
Ai tha se kompetenca për të nisur shkarkimin e një anëtari të bordit të Bankës nga detyra për çështje etike është e Këshillit Mbikëqyrës.
Seanca dëgjimore e tij ishte pak e pazakontë, pasi Malaj u paraqit me një libër dhe një parullë të vogël për të treguar kontributin e tij për vendin. Për nismën e shkarkimit ai bëri përgjegjës disa funksionarë.
Nuk harroi as të ironizojë edhe veprimet dhe votat e ish-kolegëve e bashkëpunëtorëve të tij. Betejën për të zbuluar të vërteta, por edhe kërcënime, Malaj tha se do ta vazhdonte në seancë plenare.
Kjo nuk ndaloi që 12 anëtarët e Komisionit të Ekonomisë, deputetë socialistë të votojnë pro shkarkimit të tij. Kundër ishin vetëm 5 deputetë nga opozita e re, të cilët kërkuan të mos preket nga qeveria pavarësia e institucioneve kushtetuese.
Tv Klan