Report TV -Kryeministri Rama shoqëron dy fëmijët të mbijetuar nga tërmeti në shkollë

2019-12-16 1

Mëngjesi i sotëm ka nisur ndryshe për Aurelin dhe Alesion dy fëmijët, që i shpëtuan tërmetit të 26-nëntorit duke u hedhur nga apartamentet e tyre në Thumanë.

Aurel Lala dhe Alesio Cakoni, 10 dhe 7 vjeç, sot kanë nisur ditën e parë të shkollës që pas tërmetit që ndryshoi jetën e tyre. Ata i ka shoqëruar kryeministri, Edi Rama i cili i ka marrë me makinën e tij të punës dhe më pas i ka çuar në shkollën 'Ahmet Zogu' në Kamëz.

Të dy djemtë janë banorë të ri të qytetit të Kamzës dhe komshinj me njëri tjetrin. Familja e Alesio Cakonit, 10-vjeçarit që humbi motrën dhe babain nga tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë, tashmë bashkë me nënën e mbijetuar dhe gjyshen kanë një shtëpi të re. Ata janë sistemuar në një apartament të ri i cili ndodhet në bashkinë e Kamëz. Po kështu edhe familja e Aurel Lalës që humbi gjyshen dhe motrën nga tërmeti janë sistemuar në Kamëz.

Të dy fëmijët kanë marrë bursë mujore për të mbuluar shpenzimet e shkollës. Ndërsa sot ata i përcjellë Rama për në shkollë së bashku me kreun e bashkisë së Kamzës, Rakip Suli.