Vijojnë operacionet e riatdhesimit dhe të kthimit vullnetar të shqiptarëve që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së. Sot në Rinas u riatdhesuan në dy operacione të ndryshme 173 shqiptarë, me qëndrim të paligjshëm në Francë dhe në zonën Schengen. Operacionet e riatdhesimit u realizuan në bashkëpunim me Frontex-in dhe Zyrën Franceze për Emigracionin.
Në operacionin e parë u riatdhesuan 38 persona gjithsej, 5 prej të cilëve nga Belgjika dhe 33 nga Franca. Në operacionin e dytë, që nis nga Lyoni i Francës, u kthyen vullnetarisht në total 135 persona.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata shqiptarë që udhëtojnë në hapësirën Schengen që të mos bëjnë asnjë përpjekje për të aplikuar për azil në Francë apo në çdo shtet tjetër të BE-së dhe të mos bëjnë asnjë shpenzim duke paguar ata që duan të përfitojnë duke i mashtruar se do t'u sigurojnë azil, pasi rezultati në të dyja rastet do të jetë negativ.
"Shqipëria është një vend i sigurt dhe shanset për të marrë azil janë zero' thotë policia e shtetit.