Ekspertët italianë nga Kruja për Report Tv: Ja si i bëjmë skanimet e banesave të dëmtuara

2019-12-12 0

Kur kanë kaluar më shumë se një javë nga tërmeti tragjik që mori 51 jetë njerëzish, një pjesë e familjeve janë kthyer në banesat e tyre, ndërsa një pjesë e madhe ende jo, për shkak të dëmeve të mëdha që kanë pësuar disa objekte në disa qytete të vendit, siç është edhe rrethi i Krujës. Për verifikimin e dëmeve grupet e punës prej disa ditësh kanë dalë në terren për të skanuar banesat, nëse janë të banueshme ose të pabanueshme. Krahas ekspertëve shqiptarë, për verifikimin e dëmeve kanë mbërritur edhe ekipe të disa vendeve, përfshirë edhe ato italiane, një pjesë e të cilëve Report Tv i ka takuar në qytetin Krujës ku vijojnë inspektimet. Ata kanë shpjeguar sesi funksionon puna e tyre në terren.

Francesco Giordano, koordinator i grupit të italianëve, ndër të tjera ka treguar edhe dëmet e konstatuara deri tani në terren nga grupi i tyre. "Ne jemi pjese e ekipit italian. Jemi këtu në Krujë 8 persona të ndarë nga katër skuadra. Kemi ardhur të dielën më 1 dhjetor dhe bazën tonë e kemi në Durrës. Kemi ardhur në Shqipëri me mandat të Bashkimit Europian dhe përpiqemi që të bëjmë lidhjen mes autoriteteve vendasve dhe strukturave të Bashkimit Europian. Jemi në shërbim të autoriteteve lokale dhe përpiqemi që të marrim në shqyrtim verdiktet. Ne koordinojmë në territor skuadrat tona, persona që ua bashkojmë teknikëve vendas në përgatitjen e skedave për vlerësimin strukturor dhe qëndrueshmërinë" tha ai.