Report TV - BunkArt 1 rikthen pas 47 vjetësh festivalin e 11-të i këngës shqiptare, nisin prenotimet

2019-12-12 1

Pas 47 vjetësh, në atmosferën unike të muzeut të diktaturës Bunkart art 1, do të rikthehet në skenë festivali i 11-të i këngës shqiptare. Publiku, përgjatë tri netëve spektakolare do të rijetojë krijimtarinë muzikore dhe atmosferën e atyre këngëve që në vitin 1972 tronditën regjimin komunist në Shqipëri. 20 këngët e festivalit të 11-të do të ringjiten në skenë, duke rijetuar edhe interpretime nga më origjinalet. Rikthehen në skenë pas 47 vitesh, Liljana Kondakçi dhe Bashkim Alibali.

Atmosfera e këtij revokimi të jashtëzakonshëm, përgjatë tri netëve të spektaklit, do të ndizet edhe nga të ftuarit specialë: si Albano Carissi, këngëtari italian që ka shkelur tokën shqiptare në shtator të 1989-ës, së bashku me Romina Pawer. Në atë kohë ata dhanë një koncert që paralajmëroi popullin shqiptar për çlirimin nga normat e diktaturës, qw nuk vonoi dhe ra dy vjet më vonë.

Tri netët e spektaklit do të drejtohen me pjesëmarrjen ekskluzive të Bujar Kapexhiut, prezantuesi i festivalit të 11-të, ku kishte në krah edhe aktoren Edi Luarasi. Por këtë herë në krah të Kapexhiut do të prezantojë këngëtarja e njohur Marsela Çibukaj.

Tri netët magjike në BunkArt 1 do të mbahen në një bashkëpunim televiziv unikal të Radiotelevizionit shqiptar dhe Report tv, ku do të bëhet një revokim i pazakontë i festivalit të 11-të, me këngëtarë dhe të ftuar të veçantë.

Në natën e parë më 9 dhjetor, do të jetë i ftuar big Alban Skenderaj, ndërsa në natën e dytë, më 10 dhjetor, do të ngjitet në skenë violinisti me famë botërore Olen Cezari.

Nuk do të mungojnë edhe të ftuarit protagonistë të festivalit të 11-të, si poetja Natasha Lako, kompozitori Aleksandër Peçi, Kompozitori Flamur Shehu, poeti Sadik Bejko, kameramani i RTSH ?së dhe i Festivalit të 11, Beqir Derhemi, të cilët do të rrëfejnë si nisi dhe si mbaroi ajo ëndërr e madhe për daljen nga morsa e hekurt e regjimit komunist.