Komisioni Hetimor për Metën, miratohet shtyrja me 4 muaj e afatit të përfundimit të veprimtarisë

2019-12-12 1

Me 8 vota pro dhe 1 kundër është miratuar shtyrja me katër muaj e veprimtarisë së Komisionit Hetimor për Presidentin Meta. Edhe pse në një situatë të jashtëzakonshme, në një kohë kur kanë kaluar vetëm 7 ditë nga tërmeti vdekjeprurës që u mori jetën 52 viktimave në Durrës, Thumanë dhe në Tiranë, Komisoni është mbledhur këtë të martë për të vendosur shtyrjen e afatit të hetimeve. Në fillim të mbledhjes është mbajtur edhe një minutë heshtje për viktimat e tërmetit. Më pas në këtë seancë nuk kanë munguar debatet, ku Alimadhi është përplasur me Vasilika Hysin për sa i përket shtyrjes së hetimit. Deputeti Alimadhi ngriti pretendime se shtyrja e hetimeve është shumë e zgjatur dhe se nuk nevojiten 4 muaj, ndërsa nuk i ka pëlqyer reagimi i Vasilika Hysit teksa fliste për këtë. Megjithatë në këtë debat ndërhyri zv.kryetari i këtij Komisoni, Alban Zeneli i cili kërkoi që kërkesa e shtyrjes së hetimeve të hidhej në votim.

Mazhoranca pretendon se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, ndërsa sot është kërkuar shtyrja e hetimeve për shkak se Komisioni Hetimor nuk ka patur mundësi për mbledhje dhe shqyrtim të fakteve të mbledhura. Kjo sipas Alban Zeneli i cili ditën e sotme në mungesë të Ulsi Manjas, drejton këtë Komisoni ka thënë se nevojitet një shtyrje me 4 muaj. Kështu Komisoni me 8 vota pro dhe një Kundër ka miratuar shtyrjen e hetimeve me 4 muaj.

"Ky komision dhe mazhoranca ka kërkuar një shtesë për afat kohor. Dhe për të investiguar një institucion kaq të rëndësishëm duhet më shumë kohë. nuk e ka patur kohën e duhur për tu mbledhur dhe për të shqyrtuar faktet. Kjo ka ardhur edhe për shkak të gjendje në Shqipëri pas tërmetit të rënë. Është e pamundur që afati që është përcaktuar me 8 dhjetor. Është koha e pamjaftueshme për të dalë në një kërkesë sa më ta saktë dhe të drejt ligjor...Shtyrja me 4 muaj kërkohet për ta nxjerrë këtë punë të saktë. Mund të duhet edhe kohë tjetër madje por edhe mund ta mbyllim më para. Kjo është rasti i parë i një hetimi të presidentit dhe ishalla nuk kemi më raste të tilla" tha Zeneli.