Report TV - Ka rrezik shembje! Mbyllet bashkia e Kurbinit, çarje edhe te prokuroria e gjykata

2019-12-12 0

Godinës së bashkisë Kurbin i është vënë shiriti, pasi ka dëmtime serioze dhe nga verifikimi rezulton se ka rrezik qëndrimi brenda. Po ashtu edhe godinat e prokurorisë dhe gjykatës kane dëmtime serioze, por ende nuk është bërë verifikimi i tyre. Në bashkitë e Lezhës dhe të Kurbinit grupet e punës kanë nisur verifikimin e objekteve që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti. Fillimisht specialistët e fushës po shohin pallatet brenda qyteteve dhe më pas vëmendja do të përqendrohet tek banesat.

Faza e parë e verifikimit do të jetë për përcaktimin nëse janë apo jo të pabanueshme këto objekte. Pas inspektimeve në terren bashkitë përkatëse do të dalin me një konkluzion zyrtar ku do të informohen qytetaret për objektet që tërmeti i ka bërë të pabanueshme. Ndërkohë brenda një kohë të shkurte do të bëhet një inspektim tjetër edhe me ekspertë të huaj, për të përcaktuar shkallën e dëmtimeve dhe mënyrën se si do të veprohet me këto objekte në të ardhmen. Në qarkun e Lezhës janë 56 pallate të dëmtuara nga tërmeti si dhe 181 banesa. Deri tani janë shpallur të pabanueshme 22 pallate në Kurbin dhe 9 në qytetin e Lezhës.