Teksa është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në Tiranë, Durrës, Laç dhe Lezhë pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, vëmendja tashmë është drejtuar drejt burimeve financiare, se si do të përballohet situata. Qeveria ka deklaruar se do të marrë përsipër në masën 100% kompensimin e të gjitha dëmeve por pa saktësuar se si do të gjenden fondet. Deri më tani kryeministri Edi Rama ka prezantuar disa nga ndryshimet ligjore që do të ndërmerren, si dhe po bëhet inventarizimi i të gjithë dëmeve, ku më shumë është fokusuar tek donacionet. Por cilat janë mundësitë për akordimin e fondeve shtesë për emergjencat civile nga buxheti i shtetit? Fillimisht me një akt normativ qeveria mund të shtojë fondin e rezervave që përdoret për fatkeqësi të tilla. Ky fond aktualisht është në nivelin e 2 miliardë lekë, pasi iu shtuan 500 milionë lekë me aktin e parë normativ, vendim që u mor pas tërmetit të 21 shtatorit.