'Thuaju një llaf të mirë të ma çojnë gocën në Itali...', lutja e babit për Ramën, sot humbi vajzën

2019-12-12 1

Një lajm tragjik vjen nga spitali i Traumës, ku ka humbur jetën 20-vjeçarja Xhesika Biqiku, e cila prej tre ditësh ishte në gjendje Kome për shkak se kishte dëmtime të rënda në kokë nga rënia e tullave gjatë tërmetit të 26-nëntorit. Ajo jetonte në një pallat në Kombinat, ku gjatë lëkundjeve së bashku me familjen e saj ishin munduar të largoheshin nga apartamenti ku jetonin por fati deshi që Xhesika të mos ia dilte dot.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm babai i saj, Ilia Biqiku u takua edhe me kryeministrin Rama tek zona e Kombinatit. Një lutje e trishtë u bë nga ai në drejtim të Kryeministrit teksa i kërkonte ta dërgonte vajzën në Itali.

"Kam gocën në spital. Është në gjendje të rëndë tek Trauma. Erdhi doktori italian. Thuaju një llaf të mirë të ma çojnë në Itali. Mbushi 20 vjeç. Kam edhe gocën e madhe të sakatuar."

Xhesika Biqiku ishte parashikuar që të nisej me helikopter në Itali që dy ditë më parë, por gjendja e saj e rënduar nuk e bëri të mundur diçka të tillë. Grupi i mjekëve italian pasi panë gjendjen e saj shëndetësore, vlerësuan se një lëvizje e trupi të vajzës 20-vjeçare për të transportuar në helikopter do të ishte fatale. Megjithëse mjekët u munduan ta mbanin në jetë Xhesika nuk ia doli dot. Sipas babai të saj, e reja kishte dëmtime të shumta në kokë që i kishin prekur edhe trurin.