Report TV - Rama bën bilancin, 176 pallate të dëmtuara në Durrës dhe 69 në Tiranë

2019-12-12 1

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Rama bëri një bilanc paraprak të banesave dhe pallateve të dëmtuara, edhe pse një bilanc paraprak që pret të marrë formë edhe me ardhjen e ekspertëve të huaj. "Ekipet e para të inspektorëve grekë teknikë vijnë sot, për të bërë analizë dëmesh së bashku me ekspertët tanë në mënyrë që mos të marrë kohë të gjatë në raport me numrin e madh të pallateve me numrin e vogël të ekspertëve të ndërtimit. Do të ketë turk, francezë, e një sërë ekipesh të tjera që do të vijnë në mbrëmje ose nesër", u shpreh kryeministri.

Paraprakisht:

Në Durrës janë 701 banesa të dëmtuara, 12 të shkatërruara totalisht, 176 pallate të dëmtuara.

Në Tiranë, janë 15 të banesa shkatërruara, 239 banesa të dëmtuara, 8 pallate jashtë funksionit, 61 pallate të dëmtuar rëndë.

"Ky bilanc kërkon të plotësohet në mënyrë që askush të mos mbetet jashtë bilancit", tha Rama.

Në Tiranë janë 3480 persona pa shtëpi. 1 mijë janë të akomoduar në 5 qendra private, të tjerët në çadra dhe tek të afërmit.

Në Elbasan janë akomoduar 209 persona, ndërsa në Durrës 625.

Kreu i qeverisë tha se do të mblidhet Komiteti kombëtar i ndërtimit për të gjithë këtë proces, ndërsa tha se do të ishte i lumtur që pjesë e këtij komuniteti të ishte edhe opozita, qoftë në aspektin financiar, qoftë edhe atë teknik.

"Do të ishim të lumtur të ishte edhe opozita qoftë sa i përket aspektit financiar, qofte dhe teknik. nuk kemi çfarë ndajmë në këtë aspekt përveçse nevojën e përbashkët për të bërë më të mirën për njerëzit. Nuk është komision i reformës zgjedhore, as komision dekriminalizmi, as i ndarjes së engjëjve dhe djajve. Këto janë komisione për ditët me diell në këtë ditë pa diell në këtë punë që do të vazhdojë e pa cënuar nga jeta e përditshme politike që nuk diskutohet së shpejti do të rifillojë se shenjat e para janë dhënë, është mirë të jemi bashkë, është mirë të punojmë bashkë", tha Rama.