Nën qiell të hapur, nën peshën e frikës nga gjakmarrja, mes rrënojave të banesës së shembur mëngjesin e së martës së zezë, pa të ardhura financiare dhe pas asnjë mbështetje. Kjo është drama e shumëfishtë e familjes Lika në Fushë Mamurras të Kurbinit. Shtëpia dykatëshe e shembur nga tërmeti i 26 nëntorit, për familjen Lika në Kurbin, kishte një funksion të dyfishtë dhe jo të zakonshëm. Përveç strehimit, muret e kësaj banese të ishin mbrojtja e vetme që i kishte mbetur familjes me pesë anëtarë nga gjakmarrja. Që nga e marta ?mbrojtja? e kësaj familje është një plastmas. Kryefamiljari është në arrati, nga frika e gjakmarrjes, që kur vëllai i tij vrau një shtetas në vitin 2002, ndërsa pesë anëtarët e familjes së tij qëndrojnë në qiell të hapur, që kur banesa e tyre nuk u rezistoi lëkundjeve të tërmetit të së martës. Kunati i kësaj gruaje të re ka vrarë një shtetas në vitin 2002 në Mamurras dhe është dënuar 25 vite burg, ndërkohë që pasojat po i vuajnë këto ditë më shumë se kurrë më parë, fëmijët e mitur. Familja përbëhet nga 2 gra dhe 3 fëmijë të mitur, të gjithë të pamundur për të përballuar fatkeqësinë natyrore, e cila merr një tjetër përmasë për shkak të frikës që prodhon hakmarrja e verbër njerëzore. Banesa dykatëshe e familjes Lika është inspektuar nga ekspertët e bashkisë Kurbin dhe është nxjerrë e pabanueshme. Fatmirësisht nuk ka jetë njerëzore të humbura, por muret e shtëpisë janë shkatërruar. Të gjitha pasjet shtëpiake janë mbuluar nga rrënojat. Pesë anëtarët nuk mund të strehohen si familjet e tjera të prekura nga tërmeti. Për këtë familje duhet një vendstrehim i sigurt dhe mundësisht sekret, për t?u siguruar jetën nga çdo hakmarrje e mundshme. Deri më tani, nga strukturat shtetërore, nuk është marrë asnjë masë për strehimin e dy grave dhe tre fëmijëve të mitur.