Në hotelin 'Mira Mare' vijojnë kërkimet për të gjetur personat e tjerë që janë nën rrënoja. Një banor i zonës i tha Report Tv se pronari i hotelit është hedhur nga dritarja, ndërsa brenda kanë mbetur edhe një kamerier dhe një vajzë, që nuk dihet fati i tyre. Ai tha se vajza që u nxor e pajetë nga hoteli ishte nga Tirana dhe banonte në zonën e Astirit ku i ishte shembur banesa nga projekti.
"Pronari i restorantit 'Mira Mare' është hedhur nga penxherja, u ka thënë punëtorëve dilni se po këputet pallati dhe thonë se kanë zënë banakierin mbi 40-vjeç, më duket se është nga Korça edhe dy balerina, njëra u nxor e vdekur. Pronari tha se ka brenda, mendohet se tani janë edhe dy brenda, një vajzë doli e vdekur. Vajza që u nxor e vdekur thonë se ishte kameriere, banonte te Astiri në Tiranë i prishën shtëpinë. Një banakier nga Fieri shpëtoi. Ky djali që shpëtoi ka qenë te dhoma 101. Hoteli rrinte hapur 24 orë" tha ai.
Ndërkohë që pronari ka konfirmuar për Report Tv jashtë kamerës se 'Kanë qenë të kaptën 7-8 persona në dijeninë e tij, por nuk kishte informacion mbi të dhënat e tyre nëse ishin në gjendje të mirë apo ishin pa shenja jete". Banorët e Durrësit janë solidarizuar me të prekurit duke hapur dyert e shtëpive. "Jemi gati të hapim dyert e banesave për ata që janë jashtë, shyqyr që shpëtuam mirë, nuk na e mban të futemi brenda. Dëme nuk kemi se kemi shtëpi private, por kemi frikë dhe nuk mund të shkojmë në banesa" tha njëri prej tyre.