Basha me fermerët në Divjakë heq dorë nga protestat: Në pushtet vetëm me program

2019-12-12 2

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha sot ishte në Divjakë në kuadër të turit "Rrugëtimi për Shqipërinë" ku zhvilloi një bashkëbisedim me fermerët e Myzeqesë. E ndërsa akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama, ai kishte një përgjigje për ata që i thonë se fle gjumë. Një prej fermerëve i tha se kemi dëgjuar vetëm që kryetari Basha fle gjumë, ndërsa lideri demokrat i tha se 'Këta punë quajnë vjedhjen, po nuk vodhe për këta fle gjumë'.

Gjatë fjalës së tij Basha ritheksoi edhe njëherë se ka hequr dorë nga ideja e protestave për të ardhur në pushtet. "Ti hap rrugë një qeverie që vjen me votën tuaj të lirë. Rruga për të dalë nga kjo janë zgjedhjet për programin që mendoni se është më i mirë për ju, ky është mekanizmi bazë i demokracisë" tha ai. Lulzim Basha përpos taksave dhe tregun, kishte edhe një premtim për fermerët. "Fëmijët e fermerëve do të paguajnë zero tarifë për universitetin dhe do të kualifikohen në shkolla profesionale për atë sektorë që ju shërbejnë ju".

Basha komentoi edhe ngërçin për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, ku akuzoi sërish se për hesap të krimit Edi Rama do të kapë dhe drejtësinë. "Për hesap të Rrumëve me shokë që mbushin xhepat e Edi Ramës jemi ketu ku jemi me një parlament të paligjshëm, me një me qeveri të paligjshme, me kryetarë bashkishë të paligjshëm, me Gjykatë Kushtetuese të paligjshme, me prokurorë të paligjshëm, ku e gjithë struktura shtetërore vepron për të mbushur xhepat e një grushti njerëzish.

Aldo Baret me shokë kanë emëruar të gjithë kupolën në Tiranë dhe Lushnje duke punuar për bandën e Lushnjes sepse edhe pse jane tek 313 punët i kryejnë qe andej, i dëgjuat ambasadorët perendimore.  E dëgjuat kreun e antimafias i cili tha se krimi i organizuar dhe mafia shqiptare bashkëpunojne ngushtë me politikanët dhe zyrtarët shqiptarë. Për kë e kishte fjalën? Për keta e kishte fjalën, partnerët e Aldo Bares me shokë.

Kanë ngrënë e kanë pirë bashkë. I kanë bërë votat bashkë ndaj nuk flet dot as Edi Rama e as Erjon Braçe, askush tjetër nuk i përmend dot. U dridhet zëri. Sepse janë partnerët e tyre dhe me ta erdhën në pushtet. Ndajnë paratë. Le ta matin veten e tyre pa përkrahjen e krimit dhe ta shohim se sa u vlen lëkura. Nuk ka zgjidhje me këta njerëz.  Nuk kanë ofertë. Nuk sjellin dot as rend e siguri, as lufte kundër korrupsionit, përkundrazi, të vetmin preokupim është te kapin drejtësinë" tha Basha.