Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku vijon të jetë në kërkim nga Policia e Shtetit që prej datës 9 Nëntor. Me një vendim Gjykate Tirane e cila ka caktuar në mungesë masën e arrestit me burg, për tre vepra penale, efektivë të policisë kanë ushtruar kontrolle në dy banesat e tij në kryeqytet, njëra prej të cilave rezulton të jetë në emër të bashkëshortes së Kajmakut.
Që prej ditës së shtunë, policia ka kryer kontrolle në shtëpinë e Kajmakut në zonën e Fushë-Prezë, ku mësohet se i vetmi që është gjetur në banesë ka qenë djali i tyre, i cili i ka pohuar policisë se nuk kishte asnjë informacion mbi vendndodhjen e të atit apo nënës së tij, ku as kjo e fundit nuk është gjetur aty.
Burime pranë policisë bënë me dije se kontrolle për arrestimin e Kajmakut janë kryer edhe në banesën e ndodhur në zonën e ?tregut elektrik?, në Tiranë, e cila rezulton të jetë në emër të bashkëshortes së Agim Kajmakut.
Ndërkohë, duke iu referuar të dhënave të sistemit TIMS, rezulton se ish-kryebashkiaku i Vorës nuk rezulton të ketë dalë jashtë territorit shqiptar. Agim Kajmaku, i shpallur në kërkim tashmë me vendim gjykate është nën akuzë për tri vepra penale ?Shpërdorim detyre?, ?Falsifikimi i formularëve? dhe ?Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës?.
Dyshimet e prokurorisë janë se Kajmaku ka firmosur shkarkimin nga detyra të dy n/ kryetarëve, pasi KQZ i hoqi mandatin më 1 Nëntor. Ndërsa avokati i Kajmakut pretendon se këto dy lëvizje janë bërë më 31 Tetor, siç e tregon edhe kjo shkresë.