Një jetë në studio..! E studiot nuk janë kurrë aq komode sa për ta jetuar pjesën më të madhe të jetës pikërisht aty.
Megjithatë, të tillë e ka zgjedhur ta bëjë jetën piktori Lec Shkreli. Ai bashkë me vitet mbi supe, edhe pas 50 vjetëve karrierë artistike, vazhdon ngjizjen e ngjyrave aty; mes telajove, pikturave, kutive me bojë e tufave me penelata. Dhe kur hyn në atë studio, s?ke si të dalësh shpejt.
Tablotë ?të thonë? se duhet shumë kohë të qëndrosh përballë tyre, duke bërë një dialog të ngrohtë. Nuk mund të largohesh pa zbuluar gjëra të reja: siç është një pikturë e panjohur e nënës heroinë, Mine Peza, të cilën komisioni i censurës së kohës nuk ia lejoi Lec Shkrelit ta ekspozonte, derisa nën mbikëqyrje të tij skicoi atë variantin tjetër të njohur për të gjithë: Mine Peza në ballë të demonstratës.
Lec Shkreli nuk është ndjerë aspak i ndrydhur nga trajtimi ideologjik që i kërkohej për veprën, sepse duke e përmbushur me detaje artistike, ai e tejkalonte gjithmonë tematikën, dhe formën e shprehjes ai vet e quan si një akt formal. Ai është ndër të paktët që mendojnë se tematika apo shtrëngesa ideologjike ndikojnë në cilësinë e artit.