Pas protestës së fermerëve të Myzeqesë ditën e djeshme përpara Ministrisë së Bujqësisë në Tiranë, ku fermerët i vendosën kësaj të fundit një afat prej 24 orësh për të marrë përgjigje për kërkesat që paraqitën, ende nuk ka një reagim nga ana e ministrisë.
Një nga fermerët protestues, Ervin Resuli u shpreh për Report Tv se në rast të mos reagimit të ministrisë, pas konsultimit me fermerët e tjerë, do të vendosin për vazhdimësinë e protestave.?Jo deri më tani ministria e Bujqësisë nuk ka reaguar ne lidhje me kërkesat që ne i kemi dorëzuar zyrtarisht megjithëse kërkesat tona kanë qenë publike. Fermerët do mblidhen dhe do diskutojnë, por pambarim besoj se do jenë protestat deri sa kërkesat tona të plotësohen pasi fermerët i kanë humbur të gjitha tashmë dhe nuk kanë çfarë të humbasin më apo të rrinë në serat e tyre, të cilët janë të mbuluar me borxhe?-u shpreh fermeri Ervin Resuli
Resuli u shpreh se këtë vit prodhimi ka qenë i mbarë por problemi kryesor ishte tregu. Sipas tij konsumatori nuk është i orientuar drejt tregut vendas për shkak të pasigurisë në treg.
?Fermerët përpos gjithë punës së tyre akuzohen si përdorues pa kriter të pesticideve apo vrasës me produktet e tyre, përsëri është paaftësi e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me laboratorët e vet, të cilët nuk i garanton konsumatorit një siguri, dhe një nga arsyet që domatet hidhen sivjet është që konsumatori nuk është i orientuar drejt produktit vendas për pasigurinë që është mbjell në treg, dhe pasigurinë që kanë tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit por preferojnë të konsumojnë produkte importi?-tha fermeri
Fermerët qëndruan me pankarta në duar për disa orë para Ministrisë së Bujqësisë, e më pas një përfaqësi prej 4 vetash takuan Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie, ku dorëzuan 5 kërkesa që kishin, ndër to ndryshimi i skemës së subvencionimit dhe kompensimi financiar në raste fatkeqësish natyrore.