Kompania minerare që ushtron aktivitetin në zonën e Kalimashit "IMI" shpk është pezulluar dhe gjobitur 52 milionë dollarë nga Bashkia Kukës me argumentin se ka shkatërruar mjedisin dhe ushtron aktivitetin në pronat e fondit pyjor të bashkisë pa iu transferuar kompanisë. Bashkia e Kukësit që ka pezulluar aktivitetin pretendon se kompania nuk ka as lejet e posaçme për ushtrim aktiviteti, duke mos zbatuar kriteret që ligji parashikon. Kreu i Bashkisë Safet Gjici thotë, se nuk do të tolerohet me kjo masakër mjedisore.
"Kompania nuk ka respektuar ligjin. Nuk ka vendim për heqjen nga fondi pyjor që është shumë e rëndësishme. Punon pa leje. Ka hapur disa rrugë pa leje nga bashkia. Ne kemi kërkuar që kompania të respektoje ligjin dhe derisa të jetë në bazë të rregullave dhe ligjit. Ne nuk do ta heqim bllokimin. Mbi të gjitha kompania në zonë ka bërë masakër mjedisore. Të gjitha inertet janë hedhur në liqen. Kompania nuk ka zbatuar kontratën me ministrinë e linjës sa përket investimit në zonë nga fitimi.Në zonë nuk ka bërë asnjë investim infrastrukturor. Pra do të thotë se ne mbrojmë interesin publik dhe banorëve dhe mbi të gjitha kërkojmë që të zbatoj ligjet për pyjet dhe mjedisin. Drejtoria dhe inspektorati i mjedisit nga kontrollet në terren ka konstatuar dëme të llahtarshme në mjedis. Për këtë kompania është gjobitur. Kjo kompani prej vitesh punon pa letra. Punon në të zezë. Derisa kompania të paguaj 52 milionë dollar gjobë dhe dëm mjedisor sa është konstatuar nga ekspertet e bashkisë, kompania do të jetë e bllokuar. Të jenë të bindur se nuk vëmë shirita në mëngjes e ti heqim pasdite. Shiriti do të hiqet vetëm atëherë kur kompania të zbatojë ligjin. Të paguajë borxhin. Ne jemi në të drejtën tonë? tha kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici.