Zyra e avokatisë së bashkëshortes së prokurorit Arjan Ndoja ka përfaqësuar në gjyq për çështjen e pronave në Gjirin e Lalzit, 75-vjeçarit Pal Seçuni, pas të cilit dyshohet të fshihej Landi Muharemi. Bëhet fjalë për 45 mijë metra katrorë në Gjirin e Lalzit, për të cilën Bashkia e Durrësit pretendonte të ishte tokë shtetërore dhe jo private, dhe që i kishte dhënë leje për investim (resort) një biznesmeni libanez Faad Mitri. Në këtë çështje, ish-kryegjyqtarja e Durrësit, Joana Qeleshi që së fundi dha dorëheqjen pa u futur në vetting, i dha të drejtë të moshuarit me avokatë nga studio e bashkëshortes së prokurorit Ndoja. Pikërisht ky vendim u bë shkak që biznesmeni libanez të dhunohej dhe të detyrohej të largohej nga Shqipëria, duke hequr dorë njëkohësisht nga investimi.
"Rasti konkret kur gruaja e tij ka përfaqësuar një gjyq civil, bëhet fjalë me bashkinë e Durrësit ku ka përfaqësuar Pal Seçunin, që ka pasur nga pas persona të fisin Muharremi në zonën e Sukthit, dhe është fituar pikërisht nga studio e avokatisë së gruas së prokurorit, gjyqi që solli rrahjen barbare të biznesmenit libanez", tha gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno, i ftuar në emisionin "Repolitix" në Report Tv, me moderator Denis Mingën.
Sa i përket dosjeve të gjetura në makinën e prokurorit Arjan Ndoja, që u gjetën nga ekspertiza në makinë pas atentatit në Mbikalimin e Shkozetit, gazetari Elton Qyno tha se ato janë të studios ligjore të bashkëshortes së prokurorit, ndërsa hodhi dyshime edhe për disa dokumente nga dosjet që u vodhën në 2018 në Prokurorinë e Durrësit. Vetë prokurori Ndoja në një reagim për mediat ditën e sotme nga spitali, i qëndroi pikërisht kësaj linje, se janë dosje në të cilët është e përfshirë studio e tij ligjore.
"Dosjet merren në shtëpi për shkak të mbingarkesës. I marrin në shtëpi dhe përgatisin konkluzionet përfundimtare apo për apelimi. Janë gjendur dosje që kishte në proces bashkëshortja e prokurorit, e cila ka zyrë avokatie. Arjan Ndoja nuk ka hetuar çështje pronash, apo të gjyqtarit Skerdilajt Konomi, që është vrarë në Vlorë, pasi kjo dosje është në prokurorinë e krimeve të rënda. Në makinë dyshohet të jenë gjetur dokumente që dyshohet të jenë vjedhur në prokurorinë. Disa dokumente, por jo të gjitha përkojnë me dosjet e vjedhura që kishte në dorë prokurori Afrim Shehu i cili ka hetuar çështje pronash në Gjirin e Lalzit", tha në Repolitix gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno.