TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë për zhvendosjen e tij në vilat luksoze në kompleksin "Long Hill", të ndërtuar nga biznesmeni Agron Papuli, i sulmuar nga kryedemokrati si 'oligark i lidhur me Ramën'. Në përgjigjen e tij, pas ironisë së një grupi të të rinjve korçar që e pritën me banderolën "Welcome Luli, një vilë për ty në Dardhë", Basha tha se e gjitha kjo është një përpjekje e kryeministrit Rama për të larguar vëmendjen nga "skandalet e qeverisë së tij".
"Nuk ka gënjeshtër që mund të më heqë nga detyra. Gënjeshtrat kundër meje dhe familjes time janë një përpjekje cinike e Edi Rames për të hequr vëmendjen nga lista e gjatë e skandaleve të tij. Nuk bëhem pjesë e kësaj loje. Jam në një tur takimesh nëpër Shqipëri për të diskutuar gënjeshtrat e qeverisë dhe rrugët e daljes", tha Basha.Nga Korça, në kuadër të turit të tij "Rrugëtimi për Shqipërinë", Basha tha se "asnjë gënjeshtër nuk mund ta heqë atë nga detyrë".
Por cila është gënjeshtra?
Fakt është që Basha nuk jeton më në katin katin e 12-të të kullave afër stadiumit ?Arena Kombëtare?, sepse ka qenë vetë PD-ja që e ka konfirmuar një gjë të tillë, duke njoftuar se ai tashmë është me qira në një prej vilave të "Long Hill". Ashtu sikurse, fakt është se argumenti që selia blu ka dhënë se shtëpia e tij është dëmtuar nga tërmeti i 21 shtatorit është e pavërtetë dhe kjo është vërtetuar edhe në raportin e Instituti të Ndërtimit.
Vila luksoze ku po jeton Lulzim Basha është në pronësi të Migena Vrapit, e cila ka punuar si drejtoreshë në Bashkinë e Tiranës, në kohën kur ishte kryebashkiak Basha, nje fakt i publikuar sot nga Gazeta Shqip.
Nga një kërkim i thjeshtë në internet tek agjencitë imobiliare, mësohet se një shtëpi në këtë zonë kushton mesatarisht 410 mijë euro, e ndërsa për ta marrë me qira kushton rreth 2.4 mijë euro në muaj.