Banorët 'luten' të mos ketë shi/ Përrenjtë malor kërcënim për përmbytje në Zejmen të Lezhës

2019-10-29 1

LEZHË- Me ardhjen e reshjeve të shiut është rikthyer edhe frika e përmbytjeve në shumë zona të Lezhës.

Në fshatin Zejmen, përrenjtë malor janë një kërcenim serioz për zonën e banuar. Mungesa e ndërhyrjes ka bërë që shtrati i tyre të mbulohet nga bimësia dhe inertet, ndërsa dhe pritat malore kanë pësuar dëmtime. Banorët thonë se jetojnë me frikë, pasi uji vërshon në banesa sa herë ka reshje të dendura shiu. Ata kërkojnë ndërhyrje në rehabilitimin e përronjve në të cilët nuk është investuar prej dekadash.

"Përroi kur doli nga shtrati dhe hypi këtu. Çfarë kemi pasur është përmbyt. Bëhen dy përrojt bashkë. Një aty dhe një tjetër aty matanë. Përrenjtë malorë për ne është problematikë e madhe. Uji shtohet dhe futet nëpër shtëpi. Thyen shtratin dhe hyn në shtëpi. Këtu është problem kur bie shiu. Përmbyt", tha një banor.

Vërshimi i përrenjve malor sjell përmbytje thuajse çdo vit në zonën e Zejmenit. Në këtë situate banorët duhet të shpresojnë që të mos ketë reshje të dendura shiu, pasi zgjidhja e problemet duket ende largët.