Rrethrrotullimi absurd qe po merr jete njerezish

2019-10-29 5

Numri i të vdekurve në aksidentin e mbrëmjes së hënë në rrethrrotullimin e Kolonjës arriti në 2. Viktimat janë dy të rinj, kushërinjtë Jorges dhe Alteo Shabani, 21 dhe 22 vjeç. Në gjendje të rëndë është Alban Doksani, 16 vjeç.

Makina me të cilin ata po udhëtonin nga Fieri në drejtim të Lushnjes u përplas në gardarielat e rrethrrotullimit të Kolonjës dhe përfundoi në kanal.

Policia thotë se makina ishte me shpejtësi. Por ekspertët e sigurisë rrugore ngrenë një tjetër shqetësim.

Ky rrethrrotullim është i rrezikshëm, një burim i pashmangshëm aksidentesh, është jashtë kushteve teknike, pasi është i spostuar nga aksi i superstradës.

Për shkak të këtij absurdi, aksidentet këtu janë të shpeshta. Gardardielat janë ende të deformuara nga aksidentet e fundit.

Policia nuk jep të dhëna zyrtare për numrin e aksidenteve të ndodhura në këtë rrethrrotullim. Por në katër muajt e fundit mësohet se të paktën 4 persona kanë humbur jetën nga aksidentet në këtë vend.

Pavarësisht jetëve të humbura të njerëzve, asnjë mase nuk është marrë. Ekspertët thonë se ky rrethrrotullim është fare i panevojshëm e në vend të tij duhen një nënkalim ose mbikalim.

Nga Rrogozhina në Fier, kjo superstradë ka 5 rrethrrotullime, por asnjë të spostuar nga aksi i rrugës, si ky i Kolonjës. Por edhe për të tjerët ekspertët thonë se duhen hequr, sepse mjafton një gabim dhe rreziku për aksidente fatale është disa herë më i madh.

Ky rrethrrotullim është ndërtuar në vitin 2009. Por edhe ai është bërë shkak për humbjen e jetëve të njerëzve, në 10 vjet askush nuk ka ndërhyrë për ta hequr nga harta e zezë e vendeve me rrezik të lartë për aksidente.

Free Traffic Exchange