DURRËS- 18 persona, shumica ish-punonjës të Kadastrës në Durrës janë arrestuar ditën e sotme e ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim pasi kanë tjetërsuar 68 mijë m2 tokë shtetërore pranë Kepit të Rodonit duke ia kaluar 5 personave, 4 prej të cilëve të arrestuar dhe një në kërkim.
Gjashtë persona të tjerë janë me masë detyrim paraqitje sipas vendimit të gjykatës, kurse tre të tjerë janë shpallur në kërkim. Në një deklaratë për mediat nga Drejtoria e Policisë së Durrësit, u bë me dije se të gjithë personat janë përfshirë në një skemë kriminale të tjetërsimit të tokave. Bëhet fjalë për një tokë pranë Kepit të Rodonit, në fshatin Bizë dhe mbi këtë sipërfaqe nuk janë bërë ndërtime.
Nga hetimet që kanë zgjatur për rreth një vit, mësohet se këta punonjës, mes tyre drejtues, juristë, hartograf, topograf, specialist duke shpërdoruar detyrën kanë tjetërsuar këtë hapësirë nga tokë shtetërore pa frut në tokë are, ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit. Burime zyrtare bëjnë me dije se këta ish-punonjës, këtë sipërfaqe toke ua kanë shpërndarë personave me banim në Durrës, të cilëve nuk u takonte të merrnin tokë në pronësi sipas ligjit. Gjithçka është zbuluar nga një kontroll që është kryer në vitin 2018, ku janë vërejtur paligjshmëri në regjistrimin e dokumenteve që shërbeu si pikënisje për të çelur hetimet.
Report Tv ka mësuar se në pranga kanë rënë: Ardian Iljazaj, ish-drejtori i Hipotekës së Durrësi që u shkarkua "live" nga kryeministri Edi Rama, pas denoncimit të një qytetari, i cili "hallit" të tij Iljazaj i ishte përgjigjur: Të ta zgjidhë Rama hallin meqë ke shkruar në Platformën e Bashkëqeverisjes!? . Gjithashtu, Ardi Kona, Bledar Zerba, Rovin Zeqja, Malvina Deçka, Enver Shima, Sulejman Ibrahimi, Lafit Mullai, Algert Rapi, Gjon Proja, Albert Doda, Lekë Ndoj, Ledi Bushi, Gjon Bushi, Anila Çunaj, Shaqir Aruçi, Dorian Gollaj. Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale: ?Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojne funksione publike?, ?Shpërdorimi i detyrës?, ?Falsifikimi i dokumenteve?, ?Mashtrimi?, ?Grupi i strukturuar kriminal, të kryer në bashkëpunim?.
Drejtori i Policisë së Durrësit Lorenc Shehu bëri të ditur se për këtë rast janë sekuestruar shumë prova materiale, ka përgjime telefonike, filmime përgjime ambientale dhe vëzhgime, e ndërsa tha se ndaj të gjithë personave të arrestuar ka filluar hetim pasuror.