Kryetari i Partive Socialiste Europiane, Sergei Stanishev, i është drejtuar me një letër kreut të Këshillit Europian, Donald Tusk, ku i kërkon që të vendosë në krye të axhendës së mbledhjes së 18 Tetorit vendimin për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Përveç se nënvizon faktin se të dy vendet i kanë përmbushur të gjitha reformat e kërkuara nga Komisioni Europian, Stanishev ngre shqetësimin se në rast se do të refuzohej apo do të shtyhej marrja e këtij vendimi, qytetarët e këtij vendi do të humbisnin besimin ndaj BE, çka mund të shfrytëzohej nga faktorë të huaj anti BE.
"Nëse BE-ja nuk i respekton angazhimet e saj tani, ky zhgënjim në shoqëritë e vendeve aspirante do të dëmtoi dhe zbeh dhe besimin e tyre ndaj BE dhe do të nxisin populizmin dhe nacionalizmin shkatërrues anti-BE. Ne nuk mund ta lejojmë ringjalljen e nacionalizmit për të minuar përpjekjet drejt paqes dhe pajtimit në këtë rajon ende të brishtë të demokracive të reja, ku plagët e së kaluarës ende nuk janë shëruar plotësisht. Kjo nuk është në interesin më të mirë të BE-së dhe sigurisht që do të ishte një mundësi në duart e lojtarëve të tjerë, të cilët mezi presin të plotësojnë boshllëkun që lamë mbrapa".
Stanishev i kujton presidentit në ikje të Këshillit Europian se një nga politikat më të vlerësuara të unionit ka qenë pikërisht, ajo e zgjerimit, ndaj dhe mos pranimi drejt kësaj familje i vendeve aspirante do të ishte dështim për vetë BE.
"Bisedimet para-pranuese nuk duhet të shihen thjeshtë si shpërblim, por më tepër si një proces real që u siguron vendeve dhe BE-së levën e nevojshme për të ecur përpara. Pa mbështetjen tonë, do të ishte shumë më e vështirë që ata ta arrijnë vetë. Kjo është dhe një nga arsyet që Politika e Zgjerimit ekziston dhe ajo njihet gjerësisht si një politikat më të suksesshme të BE-së. Të mos pranojmë arritjet e të dy vendeve, do të ishin një gabim i rëndë strategjik".
Pak ditë më parë dhe kreu i PPE-së Zhozef Dol iu drejtua me një letër Këshillit Europian, ku rendiste arsyet pse Tirana dhe Shkupi meritojnë hapjen e negociatave.