Kadastra që 'ha' drejtuesit/ Braçe u bën apelin punonjësve në 08:00, vizitë blic në Vlorë

2019-10-15 3

VLORË-Zv. kryeministri Erion Braçe ka zhvilluar një vizitë 'blic' në Kadastrën e Vlorës, një institucion që prej disa javësh nuk po gjen qetësi. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili raporton se numri dy i qeverisë ka mbërritur në këtë institucion në orën 08:00 të kësaj të marte, orarin zyrtar kur nis punën administrata dhe ka qëndruar aty për rreth 30 minuta. 

Dhe ka qenë pikërisht ky motiv që e kanë çuar Braçen në Vlorë, për të parë nëse punonjësit kanë shkuar në orar në punë, në një kohë kur Kadastra drejtohet nga një drejtor i komanduar, Taulant Canameti.

Nuk është hera e parë që Braçe e bën një gjë të tillë, aq më tepër që ky institucion ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak se brenda një muaji janë dorëhequr tre drejtorë, për shkak të një vendimi të Gjykatës së Lartë për një pronë në bregdet në Jalë. Në një proncim që ka pasur më herët, kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame paralajmëroi se Vlora nuk është qyteti i vetëm me një problematikë të tillë, teksa përmendi Shkodrën, Sarandën. Lezhën, si dhe Elbasani, ku ditën e sotme është vënë në hetim ish-drejtori i ALUIZN-it, Andon Lapa se legalizoi një banesë në kundërshtim me ligjin.

Pas dorëheqjes së 'bordit', konkretisht të drejtoreshës së këtij institucioni, Elona Hodaj dhe zv/drejtorit, Krenar Xhemali, Kadastra e Vlorës funksionon me drejtues të komanduar. Hodaj dhe Xhemali dhanë dorëheqjen më 8 tetor dhe shkak është bërë një vendim i Gjykatës së Lartë për një pronë në bregdet në Jalë.  Në datën 11 shtator zbarkoi në këtë institucion anti-krimi ekonomik, ndërsa në hetim u vendosën 23 punonjës, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar pronën e një personi në Jalë duke ia kaluar një tjetri.

Report Tv siguroi edhe një urdhër, që ish-drejtori Almadhi në 25 qershor 2019 lëshoi për një hetim për 21 specialistë lidhur me tjetërsimin kësaj prone. Mes specialistëve të hetuar ishte dhe Alteo Nazeraj. Ky i fundit u emërua më pas drejtor, po dha dorëheqjen dhe në vendin e tij erdhi Hodaj.

Free Traffic Exchange