Shkojnë të përçarë ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian në takimin e sotëm ku pritet të vendosët për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Holanda i përmbahet qëndrimit të saj se Shqipëria nuk është gati, ndërsa Maqedonia e Veriut duhet të plotësojë edhe një kusht tjetër.
?Qëndrimi holandez është se çdo vend duhet të vlerësohet në bazë të meritave. Të dyja vendet kanë bërë shumë përpjekje. Lidhur me Maqedoninë e Veriut ne konsiderojmë se duhet të ndërmerret një hap i rëndësishëm, siç është ligji për Prokurorinë Speciale dhe nëse ky kusht përmbushet atëherë ne mendojmë se negociatat e anëtarësimit mund të fillojnë. Lidhur me Shqipërinë, ne mendojmë se ka ende punë për të bërë dhe se vendi nuk është gati për hapjen e negociatave?, thotë Ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok.
Ndërsa Franca është kundër për një tjetër arsye. Sipas Parisit në fillim duhet reformuar mënyra e zgjerimit të BE-së.
?Nuk jam sot këtu për të vendosur veto, por në një frymë shkëmbimi mendimesh mbi dy parime. Së pari, hapja e negociatave kërkon përgatitje nga Bashkimi Europian dhe ne konsiderojmë sot që ne duhet të rishikojmë në thellësi procesin e negociatave të anëtarësimit. Procesi i zgjerimit është zhgënjyes, i gjatë për vendet përkatëse dhe nuk krijon besim te vendet anëtare, sepse tretet në kohë?, shprehet Amélie de Montchalin, Ministja franceze për Çështjet Europiane.
Një qëndrim në favor të Shkupit dhe Tiranës jep Gjermania që shprehet pro çeljes së negociatave.
?Qëndrimi gjerman është shumë i qartë. Ne mbështesim hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në bazë të votimit të Bundestagut. Bashkimi Europian ka një përgjegjësi për paqen, prosperitetin dhe pajtimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo do të thotë që ne duhet t?i përmbahemi premtimeve tona?, thotëMinistri i Jashtëm i gjerman, Michael Roth.
Pro dritës jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë shprehur ministrat e Jashtëm të Rumanisë dhe Finlandës. Takimi i ministrave të Jashtëm në Luksemburg i paraprin atij që krerët e shteteve mbajnë në 17 dhe 18 Tetor në Bruksel, ku do të vendoset përfundimisht për të ardhmen e 2 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Tv Klan