Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerëson se opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias konfirmoi të gjitha qëndrimet e Presidentit të Republikës.
Si asnjëherë tjetër, thotë presidenti në reagimin e tij, opinioni përfundimtar pësoi ndryshime thelbësore nga projekti paraprak.
"Ndër konkluzionet kryesore u evidentua se: 1. Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese. 2. Presidenti i Republikës pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stablitetit dhe të kredencialeve demokratike të vendit. 3. Kompetencat kushtetuese të Presidentit nuk janë formale. 4. Dekretet e Presidentit janë në fuqi dhe nuk u sfiduan përpara asnjë gjykate. 5. Zgjedhjet parlamentare kanë status më të lartë kushtetues se zgjedhjet vendore", thotë Meta në reagimin e tij.
Presidenti i Republikës shpreh më tej keqardhjen që "gjatë katër muajve u shpërdoruan energji që do të duhet të ishin në shërbim të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendimit të shumëpritur për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE"./