Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kërkuar gjykatës zgjatjen e hetimeve për dosjen e njohur me emrin ?Vol-vo 4?. Për këtë çështje janë të pandehur 19 persona për akuzat e grupit të strukturuar kriminal si dhe prodhim, shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Prokurorët e çështjes i kanë kërkuar gjykatës që të shtyjë edhe me 3 muaj hetimet për shkak se dosja është shumë voluminoze dhe për këtë nuk janë ende gati që t?ia dorëzojnë gjykatës. Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga gjyqtari Bib Ndreca, që pritet të marrë një vendim. Tetorin e kaluar policia finalizoi operacionin e koduar ?Vol-vo 4?, ku janë goditur anëtarët e 4 grupeve kriminale që merreshin me shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjithashtu u zbulua edhe një laborator në fshatin Brenogë të Hasit ku prodhohej heroina. Në atë kohë përfunduan në pranga 44 persona mes të cilëve edhe 2 ish-deputetet e Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arbën Çuko. Ndoka u arrestua pasi rezultonte i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash Shëngjin, ndërsa ish-deputeti dhe ish-drejtori i Burgjeve Arben Çuko shfaqej në përgjime duke folur me pjesëtarët e grupit të Shijakut për transferimin e një të dënuari në një ambient tjetër paraburgimi. Çuko po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa nën masën e arrestit shtëpiak vazhdon të qëndrojë Arben Ndoka.