TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar pas akuzave të zv. kryeministrit Erion Braçe lidhur me prokurorin e Prokurorisë së Durrësit Arjan Ndoja. Përmes një deklarate të bërë nga ish-deputeti Enkelejd Alibeaj PD i kërkon kryeministrit Edi Rama përgjigje për disa pyetje, që lidhen pikërisht me prokurorin Ndoja. Ai kërkon të dijë se cilës bandë i takon Ndoja, prej sa kohësh Braçe dhe Rama janë në dijeni që ai punon për bandat dhe pse nuk është arrestuar ende ai.
"Sot shqiptarët kanë parë me zë dhe figurë sesa e pafuqishme është qeveria e Edi Ramës për të luftuar me të vërtetë bandat dhe zyrtarët e lidhur me to. Nëpërmjet qëndrimeve burracake të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, shqiptarët panë sot një qeveri që ka frikë t?i përmendë emrin një bande për llogari të së cilës, si Edi Rama dhe Erjon Braçe denoncuan se punon prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja
Dhe ju e dini fare mirë se cili ka qenë qëndrimi i Partisë Demokratike në kohë për prokurorin në fjalë.
Ajo që presin sot qytetarët shqiptarë nuk është a ka Erjon Braçe lidhje gjaku me drejtorin e arrestuar të Kadastrës. Kjo nuk ka pikë rëndësie për çështjen në fjalë.
Dje dhe sot, Erjon Braçe, bashkë me Edi Ramën, i bënë presion drejtësisë në sallën e gjyqit për të mbrojtur një zyrtar të emëruar nga vetë ata dhe që akuzohet për shpërdorim detyre nga një prokuror, që është në shërbim të bandave të Durrësit- citoj kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e vendit.
Ajo që prisnin sot shqiptarët nuk ishte refreni i propagandës bajate se ?fajin e ka opozita?. Shqiptarët prisnin sot, që Edi Rama të bënte kryeministrin dhe të kërkonte arrestimin e prokurorit që i shërben bandave, si dhe nxjerrjen para drejtësisë të këtyre bandave, të cilat ai i njohka, por nuk ua përmend emrin.